FLASH :

Turist nga Kosova rrëzohet në Valbonë, dëmtohet në këmbë – shpëtohet nga Policia pas dy orësh kërkime

Një turist nga Kosova ka përjetuar momente të vështira gjatë një eksplorimi në zonën malore të Valbonës, në fshatin Kukaj, Tropojë. Personi me inicialet I. H. ka rrëshqitur dhe ka pësuar lëndime në këmbë, duke mbetur i bllokuar në terren të vështirë.

Pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth dy orë, shërbimet e Policisë së Tropojës arritën ta lokalizojnë dhe ta ndihmojnë turistin, duke e transportuar fillimisht deri në rrugën e makinave dhe më pas në Spitalin e Tropojës me autoambulancë. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 16:30, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se në fshatin Kukaj, Valbonë, shtetasi I. H., banues në Kosovë, duke eksploruar zonën ishte rrëzuar dhe për pasojë kishte dëmtuar këmbën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.

Pas dy orësh kërkimesh shërbimet e Policisë, lokalizuan turistin, i cili u transportua nga shërbimet e Policisë deri në rrugën e makinave dhe më pas u transportua drejt spitalit me autoambulancë. Turisti ndodhet në Spitalin e Tropojë, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës është e angazhuar maksimalisht në përmbushje të detyrave për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në ndihmë të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve në rast nevoje’, thuhet në njoftimin e policisë.