Një tjetër aksident i rëndë ujor ka ndodhur në bregdetin shqiptar, ku një 21-vjeçar nga Belgjika ka mbetur i plagosur rëndë pas një incidenti me Jet Ski në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Turisti ishte duke kryer manovra në det kur humbi kontrollin mbi mjetin lundrues dhe përfundoi në ujë.
Pas aksidentit, i riu është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit për ndihmë të menjëhershme, dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e Jet Ski-t, i cili ia kishte dhënë turistit me qira, ndërsa po hetohet për rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë ligjore që lidhen me dhënien dhe kontrollin e mjeteve lundruese.
Ky është aksidenti i dytë ujor i ndodhur në të njëjtën ditë, pasi më herët një turist gjerman u godit nga helika e një gomoneje në Gjirin e Gjipesë dhe ndodhet gjithashtu në gjendje kritike në Spitalin e Traumës. Incidentet ngrenë shqetësime serioze për sigurinë e turistëve dhe kontrollin e mjeteve të ujit përgjatë vijës bregdetare në kulmin e sezonit veror.







