Tuneli i Skerficës, një ndër nyjet më të rëndësishme të rrugës Kardhiq–Delvinë, është kthyer në një pikë kritike për sigurinë rrugore, për shkak të mungesës së kushteve minimale për kalim të sigurt. Problemet janë të shumta, por më shqetësueset mbeten ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesa e një ekipi zjarrfikës të stacionuar pranë zonës.
Përkundër faktit se ky segment përjeton një rritje të ndjeshme të trafikut gjatë muajve të verës, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë ende masa konkrete për të garantuar sigurinë e kalimtarëve.
Tuneli shpeshherë mbetet pa dritë, duke rrezikuar jetën e qindra drejtuesve që kalojnë në të. Automjetet detyrohen të përshkojnë qindra metra në errësirë të plotë, veçanërisht gjatë natës apo kur moti është i keq, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për aksidente fatale.
Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve kanë ngritur zërin për këtë situatë të përsëritur dhe kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të energjisë, si dhe vendosjen e një baze të përhershme të zjarrfikësve në afërsi të tunelit.
Megjithatë, autoritetet duket se kanë zgjedhur të mbyllin sytë, edhe pse rreziku është i pranishëm përditë dhe një tragjedi mund të ndodhë në çdo moment.
Në kushtet aktuale, Tuneli i Skerficës mbetet një “kurth i heshtur” në zemër të një prej akseve më të rëndësishme turistike të jugut të Shqipërisë.