FLASH :

Trup i pajetë pranë Portit të Shëngjinit, dyshohet mbytje aksidentale

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në afërsi të Portit të Shëngjinit, ku një 37-vjeçar është gjetur pa shenja jete. Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Lezhës, trupi i pajetë i shtetasit me iniciale N.Z. është zbuluar nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Pak metra larg vendit ku u gjet viktima, është konstatuar edhe një mjet lundrues tip Jet Ski, duke shtuar dyshimet se mund të bëhet fjalë për një aksident gjatë aktivitetit në det.

Policia thekson se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime fizike, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Njoftimi policisë:  Rreth orës 15:40, në afërsi të Portit të Shëngjinit, punonjësit e Policisë Kufitare të portit kanë konstatuar në afërsi të bregut trupin e pajetë të një shtetasi.

Disa metra larg trupit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar një mjet lundrues tip Jet Ski. Nga verifikimet paraprake dyshohet se viktima është shtetasi N.Z., 37 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime fizike. Paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.