Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar largimin e menjëhershëm të afro 1 milion emigrantëve që hynë në Shtetet e Bashkuara përmes aplikacionit CBP One, një program i krijuar gjatë administratës Biden për të menaxhuar hyrjet në kufirin jugor.
Që nga janari 2023, mbi 900 mijë emigrantë kishin përfituar leje qëndrimi dhe pune përmes këtij aplikacioni, në bazë të një autoriteti të njohur si “parole presidenciale”. Por administrata e Trump ka nisur anulimin e këtyre lejeve dhe ka dërguar njoftime për largim të menjëhershëm, duke i ftuar përfituesit të largohen në mënyrë vullnetare përmes të njëjtit aplikacion – tashmë i riemërtuar “CBP Home”.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, emigrantët që nuk respektojnë urdhrin e largimit do të përballen me gjobë ditore prej 998 dollarësh, ndërsa masat mund të përfshijnë edhe sekuestrimin e pasurisë përmes procedurave të konfiskimit civil. Gjobat do të zbatohen retroaktivisht deri në vitin 2019, dhe në disa raste mund të arrijnë shifra mbi 1 milion dollarë për individë që kanë tejkaluar afatet ligjore.
Programi CBP One ishte një element kyç i strategjisë së administratës Biden për të krijuar rrugë të ligjshme për emigrantët, duke ulur presionin në kufi. Trump e mbylli atë në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, duke ndaluar hyrjen për mijëra emigrantë që kishin takime të planifikuara.
DHS ka akuzuar politikën e Biden si shkaktar të krizës më të rëndë kufitare në historinë e SHBA-së dhe po ndërmerr masa të forta për të kthyer kontrollin e plotë mbi emigracionin.







