FLASH :

Trump thirrje Europës: Nëse ndaloni blerjen e naftës në Rusi, Putin do të tërhiqet nga lufta

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në një konferencë të dhënë ditën e djeshme së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, ka thënë se nëse shtetet europiane ndalojnë së bleri naftë na Rusia, atëherë dhe Vladimir Putin do të tërhiqet nga lufta.

“Shumë thjesht, nëse çmimi i naftës bie, Putini do të tërhiqet, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër, ai do të tërhiqet nga ajo luftë. Jam i gatshëm të bëj gjëra të tjera, por jo kur njerëzit për të cilët po luftoj blejnë naftë nga Rusia. Nëse çmimi i naftës bie, shumë thjesht, Rusia do të pajtohet”, tha Trump.

Trump më parë tha se lufta në Ukrainë do të mbaronte nëse të gjitha vendet e NATO-s do të ndalonin së bleri naftë nga Rusia.

Turqia ka qenë blerësi i tretë më i madh i naftës ruse që nga viti 2023, pas Kinës dhe Indisë, sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, me anëtarët e tjerë Hungari dhe Sllovaki që gjithashtu blejnë furnizime energjie nga Moska.

Pas deklaratave të Trump, në rrjete sociale ka reaguar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i cili shkroi se ‘presioni’ i lartë do të detyrojë Rusinë dhe presidentin Putin të ndalojnë luftën.

“Presioni i fortë funksionon”, shkroi ai në një postim në X pasi falënderoi Australinë për uljen e çmimit maksimal të naftës ruse dhe sanksionimin e anijeve në flotën e saj në hije.

“Tani presim me padurim një paketë të fortë të 19-të sanksionesh të BE-së dhe hapa vendimtarë nga Shtetet e Bashkuara. Rusia do ta ndalë luftën vetëm nëse presioni kundër saj është mjaftueshëm i dhimbshëm.”