Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, duke kërkuar uljen me tre pikë përqindjeje të normës bazë të interesit – një kërkesë që do ta kthente nivelin nga 4.5% në vetëm 1.25%. “Po na kushton shumë si vend,” deklaroi Trump, duke e quajtur sërish Powell “Zoti vonesë”. Presidenti e lidh këtë kërkesë me performancën ekonomike të SHBA-së, që sipas tij “tani është vendi më i nxehtë në botë”.
Përveç presionit mbi politikat monetare, administrata e Trump ka sulmuar edhe shpenzimet e fundit të Fed-it. Drejtori i Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, Russell Vought, e akuzoi Powell për “keqmenaxhim të rëndë” të një rinovimi prej 2.5 miliardë dollarësh në selinë e Fed-it në Washington, duke përmendur “dhoma VIP dhe mermer premium” si shembuj të luksit të tepruar. Trump e quajti situatën “skandaloze” dhe tha se, nëse Powell ka gënjyer për koston në Kongres, “duhet të japë dorëheqjen menjëherë”.
Mandati i Powell përfundon në maj 2026, por presioni politik ndaj tij po rritet ndjeshëm, në një klimë ku Trump po kërkon kontroll më të madh mbi politikën monetare në mandatin e tij të dytë.