FLASH :

Trump premton dërgim të ri armësh në Ukrainë pas pezullimit të mëparshëm

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të dërgojë sërish armë mbrojtëse në Ukrainë, pas një pezullimi të përkohshëm të ndihmës ushtarake javën e kaluar. “Ata po goditen shumë rëndë. Do të dërgojmë më shumë armë. Kryesisht armë mbrojtëse,” tha Trump përpara një darke me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Kjo deklaratë vjen pas kritikave që pasuan vendimin për të ndalur përkohësisht dërgimin e raketave mbrojtëse ajrore, vendim që u justifikua nga Shtëpia e Bardhë si pjesë e një rishikimi të shpenzimeve ushtarake dhe prioriteteve të sigurisë amerikane.

Departamenti i Mbrojtjes theksoi se po punon për të balancuar ndihmën ndaj Ukrainës me nevojën për të ruajtur gatishmërinë e forcave amerikane, sidomos në raport me përballjen me Kinën. Megjithatë, pas një bisede “zhgënjyese” me presidentin rus Vladimir Putin dhe një telefonatë “shumë produktive” me Volodymyr Zelensky, Trump ka vendosur të rifillojë dërgesat. Ai tha gjithashtu se po shqyrton kërkesën e Ukrainës për më shumë sisteme mbrojtjeje Patriot, ndërsa shprehu hapur pakënaqësinë ndaj Putinit: “Nuk jam i kënaqur fare me presidentin Putin.”