FLASH :

Trump përballë dy zjarreve: Pse ndjek një kurs zik-zak në përplasjen Izrael-Iran

Donald Trump, presidenti i SHBA-së, vazhdon të shfaqet si “nxitës i paqes”, por veprimet e tij në krizën Izrael-Iran po dëshmojnë një kurs të paqartë dhe të ndryshueshëm. Sulmet e fundit të Izraelit ndaj objektivave iraniane, përfshirë infrastrukturën bërthamore në Teheran, u kryen me dijeninë e Shtëpisë së Bardhë – por pa pjesëmarrje të drejtpërdrejtë amerikane. Siç raportoi Fox News, Trump ishte informuar paraprakisht dhe nuk kishte asnjë kundërshtim për ofensivën. Madje, në një intervistë për televizionin amerikan ABC, ai i cilësoi sulmet si “ekselente”.

E ndërsa në janar 2025, në fjalimin e inaugurimit, Trump premtonte t’i jepte fund “të gjitha luftrave” dhe të sillte “një epokë të re harmonie”, sot qëndrimi i tij i përzier po ngjall shqetësime globale. Në maj, gjatë një vizite në Arabinë Saudite, ai fliste për një “erë të re paqeje në Lindjen e Mesme”. Por retorika paqësore nuk përputhet me mesazhet kërcënuese ndaj Teheranit në platformën e tij Truth Social. “Nëse Irani nuk pranon marrëveshjen që i ofrova, do përballet me diçka më të keqe se sa mund ta imagjinojë,” shkroi Trump, duke përmendur se shumë nga kundërshtarët e marrëveshjes në Iran “kanë vdekur tashmë”.

Bisedimet bërthamore dhe ofensiva izraelite

Delegacionet e SHBA-së dhe Iranit kanë zhvilluar disa raunde negociatash që nga prilli, për të ringjallur marrëveshjen bërthamore nga e cila Trump u tërhoq në vitin 2018. Marrëveshja synonte të pengonte ndërtimin e armëve bërthamore nga Irani. Sipas politologut britaniko-izraelit Daniel Levy, president i institutit US/Middle East Project, ofensiva izraelite ka pasur si objektiv të ndikojë vetë këto negociata – duke e vënë Teheranin nën presion, por gjithashtu duke e shtyrë Uashingtonin të pozicionohet qartë.

“Netanjahu e di se një sukses në negociata mund ta bënte të pamundur ofensivën,” shprehet Levy. Sipas tij, Trump nuk e ndaloi sulmin pikërisht sepse nuk donte të vendoste kufizime për Izraelin – veprim që në heshtje është interpretuar si dritë jeshile nga aleati i ngushtë.

Një president midis dy frontesh

Kjo qasje e dyfishtë nuk është rastësi. Në maj, Trump shkarkoi këshilltarin e sigurisë Michael Waltz, pasi ky kishte diskutuar fshehurazi me Netanjahun rreth skenarëve ushtarakë kundër Iranit. Sipas Washington Post, Trump nuk e pëlqeu idenë e përfshirjes së SHBA-së në një kurs më agresiv ndaj Teheranit, gjë që e çoi në largimin e këshilltarit.

Megjithatë, qëndrimi i tij mbetet i paqartë. A është ai për paqe apo për luftë? Sipas Daniel Levy, dilema qëndron brenda vetë elektoratit të Trumpit. Një pjesë e bazës MAGA përqafon moton “America First” dhe kundërshton çdo përfshirje ushtarake jashtë vendit. Nga ana tjetër, mbështetësit konservatorë hebrenj kërkojnë mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, edhe në formën e ndërhyrjes ushtarake.

“Ka një çarje në botën e MAGA,” shpjegon Levy. “Trump përpiqet të ruajë balancën mes dy fraksioneve që kanë kërkesa të kundërta.” Por pasojat e këtij ekuilibri të brishtë mund të jenë të rënda për reputacionin global të SHBA-së. “A do të lejojë SHBA-ja që një aleat të ndërhyjë në një konflikt të rrezikshëm pa konsultim të plotë?” pyet Levy. “Ky nuk është një mesazh i mirë për botën.”

Një udhëheqje e paparashikueshme në një rajon të nxehtë

Ndërsa tymi i sulmeve ende ngrihet mbi Teheran, politika e jashtme e SHBA-së mbetet në një gjendje paqartësie. Trump ndodhet mes dy qëndrimesh: një president që flet për paqe, por që feston sulmet dhe nuk vendos kufij për aleatët që rrezikojnë një përshkallëzim rajonal.

Nëse ky është vizioni i Amerikës në Lindjen e Mesme, atëherë bota duhet të përgatitet për më shumë konfuzion sesa qartësi. Dhe për më shumë zjarre sesa paqe.