Donald Trump ka sulmuar ashpër presidentin rus Vladimir Putin, duke e quajtur “të çmendur” pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse të Moskës ndaj Ukrainës. Në një reagim të jashtëzakonshëm në platformën Truth Social, Trump dënoi “vrasjet e panevojshme” dhe paralajmëroi se nëse kjo rrugë vazhdon, “do të çojë në rrënimin e Rusisë”.
Kjo deklaratë vjen pasi Rusia kreu sulmin ajror më të madh që nga fillimi i luftës, një akt që u pa si fyerje e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve të Trump për ndërmjetësim.
Ish-presidenti shtoi se gjithmonë ka besuar se Putini dëshiron të marrë gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj. Por tani ai paralajmëron se rruga që ka zgjedhur “do e fundosë Rusinë”.
“Nuk do kishte nisur kjo luftë po të isha unë president”
Trump e quajti konfliktin “lufta e Zelenskyyt, Putinit dhe Bidenit, jo ‘lufta e Trumpit’”, duke i hedhur poshtë çdo përgjegjësi. Ai nuk kurseu as presidentin ukrainas, duke e kritikuar për retorikën e tij:
“Zelenskyy nuk po ndihmon aspak. Çdo gjë që thotë krijon probleme. Më duhet ta them: nuk më pëlqen dhe duhet ta ndalojë.”
Kjo vjen pasi Zelenskyy e kishte thirrur publikisht Trump-in të dënonte sulmin, duke deklaruar se heshtja e SHBA-së i jep zemër Putinit.
“Jam absolutisht duke shqyrtuar sanksione të reja ndaj Rusisë”
Në deklarata për shtyp nga New Jersey, ku ndodhej për një aktivitet në West Point, Trump konfirmoi se po mendon sanksione të reja ndaj Rusisë. Ai pohoi se kishte folur në telefon me Putinin për më shumë se dy orë, por pa rezultat për armëpushim.
“Nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur. E kam njohur për vite, por tani po vret njerëz, po qëllon qytete,” tha Trump për gazetarët.
Të paktën 12 të vdekur, përfshirë fëmijë – Rusia godet me raketa Kalibr dhe dronë
Sulmi i fundit rus preku Odesën dhe Zhytomyri, ku u raportuan të paktën 12 të vdekur dhe 57 të plagosur, mes tyre të paktën tre fëmijë. Rusia lëshoi mbi 69 raketa dhe 298 dronë sulmues, me dy të tretat që u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, e quajti sulmin “i kombinuar dhe i pamëshirshëm, që synonte civilët”.
Ndërkohë, i dërguari special amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, deklaroi se sulmi ishte shkelje flagrante e Protokolleve të Gjenevës dhe kërkoi armëpushim të menjëhershëm.
Kjo deklaratë e paprecedentë nga Trump sinjalizon një ndryshim të tonit në qëndrimin e tij ndaj Putinit, nga një bashkëpunim i dikurshëm drejt një kritike të ashpër dhe paralajmërimi për pasoja katastrofike për Rusinë. Në prag të një ofensive të re të mundshme ruse në Ukrainë, kjo përplasje verbale mes liderëve shton tensionet globale dhe komplikon më tej përpjekjet për paqe.














