Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka “lajme të mira” për Gazën, ndërsa pritet të takohet me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në një darkë të mbyllur për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë një eventi zyrtar, Trump i tha të dërguarit të tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se zhvillimet e fundit janë rezultat i punës së bërë “në një nivel shumë të lartë”.
Deklarata e Trump vjen në një moment kur negociatat për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Doha kanë shënuar, sipas mediave izraelite, “përparim dramatik”. Izraeli raportohet se ka pranuar fleksibilitet të ri, përfshirë një tërheqje të pjesshme nga Gaza, ndërsa marrëveshja parashikon shkëmbim pengjesh dhe ndalim të luftimeve. Nga 7 tetori 2023, ofensiva izraelite ka lënë mbi 58,000 të vrarë në Gaza, shumica gra e fëmijë, ndërsa rreth 50 pengje izraelite mbeten ende të mbajtura në enklavë. Paralelisht, Tel Avivi përballet me akuza për gjenocid dhe krime lufte në dy gjykata ndërkombëtare.