FLASH :

Trump paralajmëron kompanitë e naftës: “Po luani lojën e armikut!” – kërkon çmime të ulëta mes krizës me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer me tone të ashpra kundër kompanive të mëdha të naftës, duke i akuzuar se po përfitojnë nga tensionet në Lindjen e Mesme për të rritur artificialisht çmimet. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Trump i paralajmëroi ato hapur: “Mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj! Po luani lojën e armikut. Mos e bëni!”

Deklarata vjen vetëm pak ditë pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj tre objekteve bërthamore iraniane – një ndërhyrje që ka rritur ndjeshëm tensionin rajonal dhe ka sjellë luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Trump kërkoi gjithashtu që Departamenti Amerikan i Energjisë të rrisë prodhimin vendas të naftës, në përpjekje për të mbajtur nën kontroll çmimet globale dhe për të shmangur një krizë të mundshme energjetike. “Prodhoni më shumë, mos shantazhoni popullin amerikan,” ka shtuar ai në një koment të mëvonshëm.

Pas nisjes së konfliktit të ri midis Iranit dhe Izraelit dhe goditjes së objekteve iraniane nga SHBA, çmimi i naftës Brent u rrit ndjeshëm, duke arritur kulmin e pesë muajve të fundit, përpara se të binte sërish me 0.9%, në 76.31 dollarë për fuçi. Megjithatë, frika për një bllokim të mundshëm të Gjirit të Hormuz nga Irani mbetet një kërcënim real, që mund të çojë në një tjetër valë rritjesh.

Kjo deklaratë e fundit e Trump nënvizon përpjekjen e tij për të ruajtur stabilitetin ekonomik amerikan, por edhe për të mbajtur nën kontroll sektorin energjetik në një periudhë të mbushur me paqartësi dhe rrezik të lartë për përshkallëzim global.