Presidenti Donald Trump ka njoftuar një marrëveshje të re tregtare me Vietnamin, duke e cilësuar atë si “një Marrëveshje të Madhe Bashkëpunimi” mes dy vendeve. Marrëveshja, e shpallur të mërkurën përmes platformës së tij Truth Social, parashikon që mallrat amerikane të hyjnë në tregun vietnamez pa taksa doganore, ndërsa eksportet vietnameze drejt SHBA-ve do të përballen me një tarifë 20%.
Masa vjen në kuadër të politikës së tarifave reciproke të Trump, e cila kishte parashikuar më parë një taksë prej 46% mbi importet vietnameze. Ky vendim u pezullua për 90 ditë për të mundësuar negociatat, nga të cilat deri më tani vetëm Mbretëria e Bashkuar dhe tashmë Vietnami kanë arritur marrëveshje konkrete me SHBA-në.
Sipas ekspertëve të tregtisë, si Mary Lovely nga Instituti Peterson, Vietnami – një ekonomi më e vogël dhe e varur nga eksportet – u detyrua të pranonte kushtet e ashpra për të shmangur tarifat shkatërruese. “Është e qartë se një vend i vogël nuk ka shumë zgjidhje,” komentoi ajo, duke vënë në dyshim nëse një qasje e tillë do të funksiononte me fuqi më të mëdha si Bashkimi Evropian apo Japonia.
Përveç tarifës 20% mbi eksportet vietnameze, SHBA-të do të vendosin edhe një taksë prej 40% për mallrat që “transportohen” nëpër Vietnam – një përpjekje për të ndalur shmangien e tarifave ndaj Kinës përmes transitit të mallrave. Ekspertët kanë paralajmëruar për vështirësitë në zbatimin e kësaj mase, duke theksuar se dallimi mes transformimit të ligjshëm të produkteve dhe manipulimeve me etiketat mund të jetë i ndërlikuar.
Ironikisht, marrëveshja me Vietnamin vjen vetëm pak muaj pasi vendi aziatik miratoi një projekt 1.5 miliardë dollarësh nga Organizata Trump për ndërtimin e një kompleksi të madh turistik pranë Hanoit. Projekti përfshin fusha golfi dhe hotele luksoze në një zonë sa 336 fusha futbolli.
Vietnami ka qenë një nga përfituesit kryesorë të zhvendosjes globale të zinxhirëve të furnizimit larg Kinës dhe një partner strategjik i SHBA-së në përpjekjet për të balancuar ndikimin kinez në rajon. Në vitin 2023, Vietnami priti si Presidentin Joe Biden ashtu edhe Presidentin kinez Xi Jinping dhe u ngrit në nivelin më të lartë diplomatik të Uashingtonit si “partner strategjik gjithëpërfshirës”.
Marrëveshja e re mund të sjellë përfitime për prodhuesit amerikanë, por ka ngjallur shqetësime për padrejtësi tregtare dhe përfshirje të interesave të biznesit privat të Trump në politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara.