Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se, pas bisedimeve konstruktive, është arritur pajtim mbi shumicën e pikave kyçe të planit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi:
“Sapo zbrita në Romë. Një ditë e mirë në bisedime dhe takime me Rusinë e Ukrainën. Ata janë shumë afër një marrëveshjeje dhe të dyja palët duhet të kenë tani një takim të nivelit të lartë për ta finalizuar atë. Për shumicën e pikave kyçe janë rënë dakord. Ndaloni gjakderdhjen, TANI.”
Takimi tre-orësh në Romë mes të dërguarit të presidentit amerikan, Steven Witkoff, dhe presidentit rus u cilësua si “konstruktiv” nga një zyrtar i Kremlinit, i cili tha se palët ngushtuan ndjeshëm dallimet mbi përfundimin e konfliktit.
Bisedimet përfshinë diskutime mbi planin amerikan që parashikon disa lëshime territoriale nga Ukraina.
Kremlini theksoi gjithashtu se u shqyrtua mundësia e rifillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës – diçka që nuk ka ndodhur që prej javëve të para të luftës, në shkurt 2022.
Në atë kohë, një përpjekje për paqe dështoi shpejt pas nisjes.
Ndërkohë, Steven Witkoff nuk ka dhënë ende një koment publik për zhvillimet e fundit.