Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se ka miratuar planet për një sulm amerikan ndaj Iranit, por nuk ka dhënë ende urdhrin për zbatimin e tyre. Mediat amerikane raportojnë se të mërkurën në mbrëmje, Trump u mblodh me gjeneralët më të lartë në Dhomën e Situatës në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar skenarët e mundshëm të një ofensive ushtarake.
Sipas Bloomberg, zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë po përgatiten për një sulm të mundshëm në ditët në vijim. Një nga opsionet përfshin dërgimin e bombarduesve B-2 Stealth, të aftë për të lëshuar bomba bunker-buster 30 mijë paundëshe, mbi objektet bërthamore iraniane të vendosura në thellësi të tokës.
Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Irani do të paguajë një çmim të rëndë, pas sulmit me raketa në Spitalin Soroka në Beersheba, që ishte një nga disa objektiva të goditura nga raketat iraniane të enjten.
Kriza mes Izraelit dhe Iranit, e cila ka përfshirë tashmë edhe Shtetet e Bashkuara në përgatitje lufte, po hyn në një fazë tejet të rrezikshme, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe më gjerë.







