Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se Izraeli ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme për të finalizuar” një armëpushim 60-ditor në Gaza, një marrëveshje që synon të hapë rrugën për përfundimin e luftës në enklavën palestineze. Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se propozimi po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti dhe u bëri thirrje Hamasit ta pranojë, duke paralajmëruar se “nuk do të përmirësohet – vetëm do të përkeqësohet”.
Sipas burimeve të CNN, drafti i ri i armëpushimit është prezantuar të njëjtën ditë që ministri izraelit Ron Dermer ndodhej në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe përpiqet të adresojë rezervat që Hamasi kishte shfaqur më herët. Megjithatë, marrëveshja mbetet e pasigurt, pasi Hamasi kërkon një armëpushim të përhershëm dhe të drejtën për të mbetur në pushtet në Gaza – kushte që Izraeli i kundërshton.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore mbi qytetin e Gazës, duke goditur lagjet al-Daraj dhe al-Zaytoun. Vetëm në 24 orët e fundit janë vrarë të paktën 112 palestinezë dhe janë plagosur 463 të tjerë, sipas rrjetit Quds News. Kjo përshkallëzim vjen në një kohë kur bisedimet për paqe janë ende në një pikë kritike.







