Pas muajsh heshtje, ish-presidenti Joe Biden ka dalë me një deklaratë të fortë kundër pasuesit të tij, Donald Trump, duke e akuzuar për dëm të madh ndaj vendit në më pak se 100 ditë në pushtet. Në një fjalim të mbajtur në Çikago për personat me aftësi të kufizuara, Biden tha se “mbetesh pa frymë” nga sa shumë është dëmtuar vendi në një kohë kaq të shkurtër dhe se “vendi nuk ka qenë kurrë kaq i ndarë”.
Në qendër të kritikës ishin shkurtime drastike që administrata Trump ka ndërmarrë ndaj programit të sigurimeve shoqërore. Biden theksoi se 7 mijë punonjës civilë janë pushuar, përfshirë shumë me përvojë, ndërkohë që 68 milionë amerikanë mbështeten tek ky sistem. “Ata po i presin sigurimet shoqërore me sëpatë”, tha ai, duke e konsideruar këtë një sulm jo vetëm ndaj pensioneve, por edhe ndaj besimit mes qytetarëve dhe shtetit. Kjo deklaratë shënon një kthesë në qëndrimin publik të Biden, i cili deri më tani kishte shmangur përballjen direkte me Trump, në kontrast me republikanin që vazhdimisht fajëson administratën e mëparshme për problemet në vend.