FLASH :

Trump dërgon nëndetëse bërthamore pas kërcënimeve ruse: Ultimatumi i ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Në një deklaratë që ka tronditur arenën ndërkombëtare, Presidenti Trump njoftoi të premten se kishte dhënë urdhër për vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane pranë Rusisë, pas “kërcënimeve të papranueshme” nga ish-presidenti Dmitry Medvedev, i cili aktualisht mban postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë në Rusi.

Trump theksoi se kjo masë ka karakter paralajmërues dhe simbolik, por se SHBA nuk do të tolerojë retorikë luftënxitëse ndaj saj. “Një kërcënim u bë dhe ne menduam se nuk ishte i përshtatshëm. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kam urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në rajonet përkatëse, nëse këto deklarata të rrezikshme janë më shumë se fjalë boshe,” deklaroi Trump për gazetarët.

Medvedev kishte reaguar ndaj ultimatumeve të Trump për ndërprerjen e luftës në Ukrainë duke i quajtur ato “një hap drejt luftës, jo mes Rusisë dhe Ukrainës, por mes Rusisë dhe SHBA-së”. Këto komente nxorën presidentin amerikan nga vetja: “I thuani Medvedevit që të ruajë fjalët. Po hyn në territor shumë të rrezikshëm,” shkroi Trump në Truth Social.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar gjithashtu se nëse Rusia nuk nënshkruan një marrëveshje paqeje deri në fund të javës së ardhshme, SHBA do të vendosë sanksione sekondare ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Moskën.

Vendimi i fundit i Trump vjen pas një sulmi të përgjakshëm rus në Kiev që la të paktën 31 të vrarë, përfshirë edhe një fëmijë gjashtëvjeçar. Kremlini nga ana tjetër i ka cilësuar ultimatumet amerikane si “pritshmëri të fryra” dhe ka kërkuar “dialog të qetë” për zgjidhjen e konfliktit.

Me 14 nëndetëse të klasit “Ohio” në arsenalin amerikan, secila në gjendje të lëshojë deri në 20 raketa Trident II me nga tetë koka bërthamore, vendimi për dislokimin e tyre pranë Rusisë përbën një sinjal të fortë strategjik në një moment kur bota përballet me rrezikun e përshkallëzimit të një konflikti global.

Trump, i cili ka qenë më i ashpër në retorikë me Medvedevin sesa me Putinin vetë, theksoi se e gjithë kjo bëhet për të “mbrojtur popullin amerikan” dhe për të dërguar një mesazh të qartë se SHBA nuk do të tolerojë provokime bërthamore.