Në periferi të të Seminole, një qytet i vogël në Teksasin Perëndimor, një tragjedi familjare ka shkundur zemrën e një komuniteti dhe ka zbuluar plagët e thella të mosbesimit ndaj sistemit shëndetësor dhe vaksinave. Tetëvjeçarja Daisy Hildebrand, vajza e dytë që humbi jetën nga një shpërthim i fruthit që po përhapet me shpejtësi, është bërë simbol i një krize kombëtare që nuk është vetëm shëndetësore, por edhe kulturore dhe sociale. “Ajo nuk vdiq nga fruthi,” thotë i ati, Peter Hildebrand, mes lotësh jashtë një pompe karburanti lokale. “Ajo u la pas dore. Ajo u tradhtua.”
Sipas qendrës federale për kontrollin e sëmundjeve (CDC), vdekja e Daisy-t lidhet drejtpërdrejt me virusin e fruthit. Por familja e saj, pjesë e komunitetit menonit që përkrah trajtime natyrale dhe është shpesh skeptik ndaj mjekësisë moderne, pretendon se ajo nuk mori kujdesin e duhur mjekësor, se iu dha diagnoza të pasakta dhe se u paragjykua për shkak të bindjeve fetare. Daisy, e cila fillimisht kishte simptoma të ngjashme me të ftohurën, u trajtua me vaj peshku dhe suplemente, derisa gjendja u përkeqësua ndjeshëm. Ajo u diagnostikua me fruth, mononukleozë dhe infeksion të fytit, por u kthye në shtëpi nga spitali. Tre ditë më pas, ajo u rikthye me pneumoni të rëndë dhe humbi jetën.
Shpërthimi në Seminole, që ndodhet në qarkun Gaines, është kthyer në një nga më të rëndët në SHBA që nga viti 2019. Me mbi 700 raste të fruthit të konfirmuara në shkallë kombëtare — 541 vetëm në Teksas — situata është në prag të shpërthimit më të madh të dekadave të fundit. Rreth 70% e rasteve janë fëmijë të vegjël ose foshnje të pavaksinuara. Në Gaines County, më shumë se 13% e nxënësve të shkollave kanë përjashtime nga vaksinat për arsye ndërgjegjeje, në krahasim me mesataren kombëtare prej 3%.
Në qytet sundon një atmosferë dyshimi. Në një dyqan lokal suplementeve, i drejtuar nga menonitët, raftet janë të mbushura me vaj peshku dhe vitamina në vend të vaksinave. Në rrugë, shumë banorë nuk besojnë në përfitimet e vaksinimit dhe janë të bindur se “farmaceutika e madhe” po përfiton nga sëmundjet. “Vaksina MMR nuk vlen asgjë,” thotë z. Hildebrand, duke shtuar se edhe vëllezërit e tij të vaksinuar u sëmurën më rëndë se fëmijët e tij të pavaksinuar. Ndërkohë, të dhënat tregojnë të kundërtën: vaksina është 93% efektive pas dozës së parë dhe 97% pas të dytës, duke mbrojtur fëmijët nga ndërlikime të rënda si pneumoni, encefalit dhe vdekje.
Në klinikën e testimit dhe vaksinimit në Seminole, fluksi i njerëzve është i çrregullt. Drejtori i shëndetit publik, Zach Holbrooks, thekson se vaksinat janë e vetmja mënyrë për të shmangur hospitalizimet dhe vdekjet. Por fushata informuese është e dobët — mungojnë pankarta të mëdha apo fushata të zëshme sensibilizuese, çka e lë qytetin të duket, në pamje të parë, si çdo vend tjetër i qetë rural.
Ndërkohë, babai i Daisy-t është i vendosur të sfidojë narrativën zyrtare mbi vdekjen e së bijës. Ai u takua së fundmi me sekretarin e Shëndetësisë dhe aktivistin kundër vaksinave Robert F. Kennedy Jr., i cili më vonë, në një postim në rrjetin X, deklaroi: “Mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit është vaksina MMR.”
Në një oborr të thjeshtë të kishës menonite ku u varros Daisy përkrah Kayley Fehr — viktimës tjetër të epidemisë — mbeten shumë pyetje pa përgjigje. Por një gjë është e sigurt: historia e Daisy-t nuk është vetëm për një virus, por për një vend që po përballet me pasojat e frikës, keqinformimit dhe një çarje të thellë mes shkencës dhe bindjeve personale. “Ajo ishte vajza ime e vogël,” pëshpërit babai i saj. “Dhe ata e lanë të vdiste.”
