Minnesota është zgjuar mëngjesin e ditës së djeshme nga një ngjarje tronditëse që ka lënë gjurmë të thella në skenën politike amerikane. Dy ligjvënës demokratë janë viktima të një atentati të armatosur, i cili dyshohet të ketë qenë i motivuar politikisht.
Deputetja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark, humbën jetën gjatë sulmit të armatosur, ndërsa senatori John Hoffman dhe gruaja e tij, Yvette, mbetën të plagosur rëndë. Të dy iu nënshtruan një operacioni urgjent dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Sipas raportimeve të para, autori i dyshuar ka vepruar i maskuar me uniformë policie dhe po udhëtonte me një SUV që imitonte një makinë të forcave të rendit. Brenda automjetit të tij, hetuesit zbuluan një listë me emra të politikanëve në shënjestër, përfshirë emrat e Hortman dhe Hoffman, çka ka ngritur alarmin për një kërcënim më të gjerë ndaj zyrtarëve publikë.
Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e autorit, i cili aktualisht ndodhet në arrati. FBI dhe agjencitë lokale të sigurisë janë angazhuar në hetimin e plotë të ngjarjes.
Kjo goditje e rëndë ndaj figurave të zgjedhura të popullit ka ngjallur reagime të forta në mbarë vendin, me thirrje për rritjen e sigurisë së zyrtarëve dhe zbulimin e motiveve pas këtij akti të dhunshëm.