Pamje tronditëse të siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur tri adoleshente e rrahin për vdekje Fredi Rivero, një burrë 75-vjeç, pranë një stacioni autobusi në Islington, veri të Londrës. Vajzat, të moshës 15, 16 dhe 17 vjeç, u panë duke e shtyrë, goditur dhe përplasur në tokë burrin që sapo kishte zbritur nga autobusi.
Goditja fatale iu dha nga vajza më e madhe e grupit, e cila i ra me grusht në kokë, duke bërë që ai të rrëzohej me kokë në trotuar. Z. Rivero pësoi dëmtim të rëndë në kokë dhe ra në arrest kardiak. Ai u dërgua në spitalin Royal London, ku ndërroi jetë në orët e para të 28 shkurtit 2025.

Tri vajzat, të cilat ishin parë duke u endur në zonë me një shishe vodka në dorë, u arrestuan pak pas sulmit. Më vonë u zbulua se njëra prej tyre e kishte filmuar sulmin me celularin e saj. Në video, 17-vjeçarja dëgjohet duke bërtitur: “Nuk më intereson!” dhe “Pse po flet me vajza të vogla, vëlla?” Ajo shton: “Më godit, ta m**në, guxo!”
Dëshmitarët thanë se vajzat pretenduan se Rivero i kishte ngacmuar, por pamjet nuk tregojnë asnjë provë për këtë. Sulmi konsiderohet krejtësisht i paprovokuar.

Të enjten, tri adoleshentet dolën para gjykatës Old Bailey përmes lidhjes me video dhe pranuan fajësinë për vrasje pa paramendim (manslaughter). Ato nuk mund të identifikohen publikisht për shkak të moshës.
Gjykatësja Judy Khan KC urdhëroi raportet për secilën të pandehur dhe i la në paraburgim deri në shpalljen e dënimit më 5 shtator.

Fredi Rivero, një shtetas bolivian dhe baba shumë i dashur nga familja e tij, u përshkrua nga policia si një njeri i dashur, ndërsa familjarët – përfshirë vajzën, ish-bashkëshorten dhe kushërinjtë – ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
Hetuesi kryesor, Inspektor Devan Taylor, deklaroi:
“Z. Rivero ishte një familjar i dashur që vdiq në një rrethanë vërtet tragjike. Vdekja e tij ka prekur thellësisht jo vetëm familjen, por edhe komunitetin. Vajzat e reja tashmë kanë pranuar përgjegjësinë për një akt të pakuptimtë, të dhunshëm dhe tmerrësisht të panevojshëm ndaj një burri të moshuar e të vetëm.”

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik britanik, jo vetëm për brutalitetin e veprës, por edhe për moshën alarmuese të autoreve.