Një ngjarje e jashtëzakonshme ka tronditur komunitetin në afërsi të Lauriano-s, pranë Torinos, në veri të Italisë, pasi dy fëmijë – një djalë nëntëvjeçar dhe motra e tij shtatëvjeçare – u gjetën duke jetuar në izolim ekstrem, të veshur me pampersa dhe të paaftë për të folur ndonjë gjuhë të kuptueshme.
Zbulimi u bë gjatë një evakuimi emergjent për shkak të përmbytjeve, ku ekipet e shpëtimit hynë në një fermë të rrënuar në një zonë të izoluar. Aty, përballë një ambienti të mbuluar me mobilie të kalbura, lodra të ndryshkura dhe mbeturina, u zbuluan dy fëmijë të tronditur, të papastër dhe të panjohur nga autoritetet lokale – të përshkruar nga mediat italiane si “fëmijë fantazmë”.

Sipas të dhënave, fëmijët kishin lindur në Gjermani, por më pas ishin sjellë në Itali nga prindërit. Ata nuk kishin ndjekur kurrë një shkollë, nuk kishin parë mjek dhe ishin rritur në izolim total, pa kontakte me botën e jashtme. Komunikonin mes tyre me një gjuhë primitive të tyre, të pakuptueshme për të tjerët.

I ati i tyre, një skulptor 54-vjeçar me origjinë holandeze, mbrojti zgjedhjet e tij me justifikimin:
“I dua fëmijët e mi. Vetëm doja t’i mbroja,” – tha ai për Corriere Torino, duke përmendur frikën nga infeksionet, përfshirë edhe Covid-in, si arsye për izolimin.

Ai pretendoi se fëmijët kishin akses në laptopë, instrumente muzikore, madje shkonin për ski e kalërim. Por autoritetet italiane zbuluan se ata nuk dinin të lexonin e as të shkruanin.
Gjykata për të Mitur në Torino urdhëroi menjëherë largimin e fëmijëve nga kujdestaria prindërore dhe vendosjen e tyre nën përkujdesje shtetërore.
“Ka elementë që sugjerojnë se fëmijët janë të privuar nga ndihma e duhur nga prindërit,” thuhet në vendimin e gjykatës.
Nëna e fëmijëve, një 38-vjeçare gjithashtu nga Holanda, thuhet se është e pastrehë dhe sipas mediave holandeze, nuk ka treguar shqetësim kur autoritetet i morën fëmijët.
Kryebashkiakja e Laurianos, Mara Baccolla, e cilësoi rastin si thellësisht tronditës:
“Këta fëmijë më në fund mund të gjejnë një ekuilibër dhe të kenë një jetë të denjë për këtë emër,” tha ajo, duke shtuar se babai ishte një njeri i mbyllur dhe nuk fliste italisht.
Banorët vendas mbetën të habitur, pasi edhe pse kishin vënë re ndërrimin e pronës, askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë zëra fëmijësh.
Aktualisht, fëmijët po mbahen nën kujdesin e shtetit italian ndërsa po përgatiten marrëveshje për sistemimin në familje kujdestare, në përpjekje për t’u dhënë atyre një jetë normale që nuk e kanë njohur kurrë më parë.