FLASH :

Tronditje në Brazil: Pësoi 12 arreste kardiake vdes 11-vjeçarja Milena Brandao, aktorja e vogël e serialit “Sintonia”

Brazil është tronditur nga vdekja e parakohshme e Milena Brandao, aktorja e re vetëm 11 vjeç, e njohur për rolin e saj në serialin e famshëm të Netflix-it, Sintonia. Vajza humbi jetën të premten në një spital të São Paulos, pas disa episodesh të përsëritura të arresti kardiak.

Sipas nënës së saj, Thais Brandao, gjithçka nisi më 24 prill, kur Milena filloi të shfaqte simptoma shqetësuese si dhimbje koke, lodhje, dhimbje në këmbë dhe humbje të oreksit. Brenda nëntë ditëve, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm dhe pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ajo pësoi gjithsej 12 arrestime kardiake në një periudhë prej dy ditësh.

Fillimisht, mjekët dyshuan për një infeksion të shkaktuar nga ethet e dengues, por testet e mëvonshme zbuluan praninë e një tumori në tru. Shkaqet e sakta që çuan në vdekjen e Milenës mbeten ende të paqarta.

Nëna e saj, e shkatërruar nga dhimbja, i dha lamtumirën në një mesazh prekës në rrjetet sociale:

“Në orën 02:05 humbëm vajzën tonë të vogël, por jam e sigurt se ajo është në krahët e Atit tonë të Plotfuqishëm… Do të të dua përjetësisht dhe ti do të jetosh përgjithmonë në zemrën time.”

Vdekja e Milena Brandao ka shkaktuar një valë reagimesh nga publiku dhe komuniteti artistik në Brazil, ku ajo ishte një figurë shumë e dashur dhe premtuese. Homazhe dhe mesazhe ngushëllimi janë shfaqur masivisht në rrjetet sociale, ku fansat e kujtojnë si një “dritë të vogël” me talent të madh.