Një natë terrori ka tronditur Kievin, pasi Rusia kreu sulme ajrore të fuqishme duke goditur për herë të parë ndërtesën kryesore të qeverisë. Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi aktin si një “sulm i pamëshirshëm”, duke paralajmëruar se Ukraina do të japë një “përgjigje të përshtatshme”.
Sipas autoriteteve ukrainase, katër persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe një foshnjë, ndërsa mbi 44 të tjerë janë plagosur pasi raketat goditën edhe pallate banimi në kryeqytet. Një nga pamjet më tronditëse ishte ajo e një gruaje të gjakosur që fliste në telefon mes rrënojave.
Ky është hera e parë që një objekt qeveritar në zemër të Kievit sulmohet drejtpërdrejt, një ngjarje që, sipas korrespondentëve ndërkombëtarë në terren, ka shkaktuar panik dhe pasiguri të thellë mes qytetarëve.
Nga Parisi, ku u zhvillua një takim i “koalicionit të vullnetarëve”, Zelensky u bëri thirrje aleatëve të zbatojnë sa më shpejt angazhimet e marra për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës. Liderët europianë kanë dënuar menjëherë sulmet ruse.
Nga ana tjetër, Moska ka deklaruar se shënjestra e saj ishin vetëm objektivat ushtarake dhe infrastrukturat e lidhura me to. Por rrënojat në qendër të Kievit tregojnë një tjetër realitet.
Këto bombardime ndodhin ndërsa presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mos guxojë të dërgojë trupa paqeruajtëse në Ukrainë, në rast të një armëpushimi, duke e cilësuar një hap të rrezikshëm që mund të zgjerojë konfliktin.