FLASH :

Tronditet bota e futbollit: Vdes në aksident Diogo Jota dhe vëllai i tij – sulmuesi i Liverpoolit u martua vetëm 11 ditë më parë

Një tragjedi e rëndë ka goditur botën e futbollit. Sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, ka humbur jetën së bashku me vëllain e tij, Andre Jota, në një aksident automobilistik të ndodhur mëngjesin e sotëm në provincën e Zamorës, në Spanjë, raportojnë mediat spanjolle, përfshirë Marca.

Aksidenti ka ndodhur në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës Palacios de Sanabria, kur makina me të cilën udhëtonin dy vëllezërit ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët. Dëshmitarët thanë se automjeti shpërtheu menjëherë në zjarr, i cili më pas u përhap edhe në zonën përreth.

Diogo Jota, 28 vjeç, ishte një nga figurat kryesore të ekipit të Liverpoolit, ku u transferua në vitin 2020 nga Wolverhampton për 44.7 milionë euro. Ai kishte regjistruar 182 paraqitje, 65 gola dhe 26 asiste për klubin, duke qenë pjesë kyçe e suksesit të fundit në Premier League (sezoni 2024–25), si dhe në FA Cup dhe League Cup në sezonin 2021–22.

Vëllai i tij, Andre Jota, 26 vjeç, ishte gjithashtu futbollist, pjesë e ekipit të Penafiel në Portugali.

Lajmi vjen vetëm 11 ditë pas martesës së Diogos, duke e shtuar edhe më tej tragjedinë që ka shokuar familjen, shokët e skuadrës dhe gjithë komunitetin futbollistik ndërkombëtar. Klubi i Liverpoolit dhe ekipet ku ka luajtur pritet të organizojnë homazhe në ditët në vijim për të nderuar jetën dhe karrierën e tij.

Një ditë zie për futbollin.