Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, adhuruesit e plazhit po kërkojnë destinacione më të qeta për të shijuar diellin larg turmave. Një studim i ri ka renditur Trearddur Bay në Ishullin e Anglesey, Uells, si plazhin më të mirë të panjohur në Mbretërinë e Bashkuar.
I vendosur pak në jug të Holyhead, ky resort bregdetar është vlerësuar lart nga Insure4Boats, që analizoi mbi 250 qytete bregdetare në bazë të të dhënave të Met Office, popullaritetit në Instagram dhe atraksioneve lokale. Trearddur Bay mori notën maksimale në rrjetet sociale dhe u dallua për diell të bollshëm dhe reshje të pakta.
Ky plazh ofron shumë për të apasionuarit pas natyrës dhe sporteve ujore, nga kajakët dhe paddleboard-et, te shëtitjet panoramike, pishinat shkëmbore dhe restorantet buzë detit. I njohur për ujin kristal dhe atmosferën e qetë, Trearddur Bay përshkruhet si një “parajsë e fshehur”.
Në krye të listës së atraksioneve qëndron Sea Shanty Café, që shërben gatime tradicionale si kallamarë, peshk e patate, si dhe pjata më moderne si “Thai fish cakes” dhe “moules frites”. Plazhi mburret gjithashtu me një fushë golfi, një festival vjetor të gocave të detit, një shtëpi “të përhumbur” familjare, si dhe një garë të pazakontë me topa plastikë në Ditën e Vitit të Ri për bamirësi.
Pas Trearddur Bay, vendin e dytë e ndajnë Salcombe Regis dhe Goodrington në Devon, ndërsa në vendin e tretë janë Lydd-on-Sea në Kent dhe Mwnt në Uells. Lista vijon me Crimdon në Durham, Ynyslas në Ceredigion dhe Port Erin në Ishullin e Man.
Në rrjetet sociale, vizitorët dhe banorët kanë shprehur entuziazëm për këtë perlë të qetë bregdetare, duke e vlerësuar si “të sigurt, të pastër dhe ideale për familjarët me fëmijë të vegjël”. Për këdo që kërkon një përvojë autentike dhe relaksuese buzë detit, Trearddur Bay është destinacioni i duhur këtë verë.




