FLASH :

Tre muaj mungesë, kërkohet shkarkimi nga puna i Erion Veliajt

Opozita në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Durrësit, nën akuza të rënda penale që përfshijnë fshehje pasurie dhe korrupsion.

Në dokumentin e dorëzuar nga këshilltarët opozitarë, thuhet se 12 maji është afati i fundit për Veliaj që të paraqitet në detyrë, siç parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore. Sipas opozitës, nëse deri atëherë Veliaj nuk paraqitet, ai konsiderohet de facto i larguar nga detyra dhe Këshilli Bashkiak ka të drejtë të procedojë me shkarkimin zyrtar të tij.

Për këtë arsye, opozita ka kërkuar që mbledhja e jashtëzakonshme për shkarkimin e Veliajt të mbahet pikërisht më 12 maj, ditën kur përfundon afati ligjor i mungesës së pajustifikuar në detyrë.

Ky zhvillim vjen pas një sërë hetimesh intensive që çuan në arrestimin e Veliajt, duke tronditur skenën politike lokale dhe ngritur pikëpyetje serioze për vazhdimin e funksionimit të Bashkisë së Tiranës.

Në kërkesën zyrtare shkruhet se: Të nderuar, Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, neni 62, shkronja c, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjavë, pasi ka filluar më datë 10 shkurt 2025, në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj. Kjo kërkesë është firmosur nga Ilir Alimehmeti Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe Ilda Zhulali Nënkryetare e Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike.