FLASH :

Transplanti i parë i fshikëzës së urinës te një pacient i gjallë shënon një arritje historike në SHBA

Një ekip kirurgësh në Kaliforni ka realizuar me sukses transplantin e parë në botë të një fshikëze urinare te një pacient i gjallë, një arritje madhore në fushën e mjekësisë dhe një hap i rëndësishëm drejt trajtimit të pacientëve me sëmundje të rënda të traktit urinar. Operacioni u krye më 4 maj në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos dhe zgjati rreth tetë orë.

Marrësi i transplantit është një 41-vjeçar i quajtur Oscar Larrainzar, baba i katër fëmijëve, i cili kishte humbur fshikëzën për shkak të një kanceri agresiv dhe kishte qëndruar në dializë për shtatë vjet, pasi të dy veshkat e tij ishin hequr. Përveç fshikëzës, ai mori edhe një veshkë të re nga i njëjti dhurues.

Kirurgët vendosën fillimisht veshkën dhe më pas fshikëzën, duke i lidhur dy organet me teknikë të specializuar që kishin stërvitur për vite të tëra. Fshikëza e re arriti të mbajë më shumë se 10 herë më shumë urinë se sa mund të mbante fshikëza e mbetur e pacientit përpara operacionit.

Rezultatet pas operacionit ishin të menjëhershme: veshka e re nisi të prodhojë urinë menjëherë, funksioni renal u përmirësua ndjeshëm dhe pas vetëm dy ditësh nga largimi nga spitali, pacienti arriti të urinojë për herë të parë pas shtatë vitesh.

Ky transplant përbën një arritje të jashtëzakonshme duke qenë se fshikëza ka një strukturë shumë të ndërlikuar vaskulare, çka e ka bërë të pamundur më herët dhurimin dhe implantimin e saj. Në të kaluarën, pacientëve që u hiqej fshikëza u ofroheshin vetëm procedura të devijimit urinar, të cilat lidhen me ndërlikime të shumta si infeksione, humbje të funksionit të veshkave dhe dëmtime të sistemit tretës.

Ekipi mjekësor planifikon të kryejë edhe katër transplante të tjera të fshikëzës, si pjesë e një prove klinike për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin afatgjatë të organit të ri. Nëse rezultatet vazhdojnë të jenë pozitive, kjo mund të hapë rrugën për një trajtim revolucionar për mijëra pacientë në mbarë botën.