FLASH :

Tragjedi në ujërat e Balit: Mbytet trageti në Indonezi, 4 viktima, 23 të shpëtuar dhe 38 ende të zhdukur

Një traget me dhjetëra pasagjerë është fundosur pranë brigjeve të Balit në Indonezi, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë detare. Deri më tani, autoritetet konfirmojnë se 4 persona kanë humbur jetën, ndërsa 23 të tjerë janë shpëtuar. Fatkeqësisht, 38 persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vijim.

Sipas raportimeve të La Repubblica, trageti KMP Tunu Pratama Jaya u fundos vetëm gjysmë ore pasi ishte nisur nga porti i Ketapang në provincën e Javas Lindore. Në bord ndodheshin gjithsej 53 pasagjerë, 12 anëtarë ekuipazhi dhe 22 automjete – përfshirë 14 kamionë të rëndë.

Shumë prej të mbijetuarve u gjetën pa ndjenja, pas orësh të tëra në ujëra të trazuara. Në operacion janë përfshirë nëntë anije kërkimi, të cilat kanë vazhduar kërkimet edhe gjatë natës, përballë dallgëve që arrinin deri në dy metra lartësi.

Autoritetet dyshojnë se moti i keq ka qenë shkaku kryesor i fundosjes së anijes, ndërkohë që pritet një hetim zyrtar për të sqaruar plotësisht shkaqet e aksidentit. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Indonezi dhe ka rikthyer në vëmendje rreziqet e larta të transportit detar në këtë vend ishullor.