FLASH :

Tragjedi në Turqi: Britanikja vdes papritur, familja zbulon se zemra e saj ishte hequr pa leje

Një nënë e re britanike ka ndërruar jetë në rrethana misterioze gjatë një pushimi familjar në Turqi – dhe një autopsi në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se zemra e saj është hequr pa dijeninë apo pëlqimin e familjes.

Beth Martin, 28 vjeçe nga Portsmouth, ishte vetëm një ditë në pushime me bashkëshortin Luke dhe dy fëmijët e tyre të mitur kur u bë papritur “delirante” dhe u dërgua me urgjencë në spital më 28 prill. Vetëm 24 orë më vonë ajo ndërroi jetë në repartin e kujdesit intensiv.

Familja e saj u mbajt në errësirë për gjendjen e rënduar të Beth dhe më pas për vdekjen e saj – ndërkohë që bashkëshorti, Luke, u përball me akuza të rënda nga autoritetet turke, duke u dyshuar se kishte helmuar gruan e tij. Më pas ai u shpall i pafajshëm.

Por ajo që ka tronditur thellësisht familjen është zbulimi në Mbretërinë e Bashkuar: gjatë autopsisë, ekspertët konstatuan se zemra e Beth mungonte – e hequr nga mjekët në Turqi pa asnjë shpjegim apo autorizim.

Spital nën hetim, dhimbje dhe heshtje nga autoritetet turke

Sipas një fushate “GoFundMe”, spitali ku Beth u trajtua është aktualisht nën hetim për neglizhencë mjekësore. Familja pretendon gjithashtu se babai i fëmijëve u ndalua të vizitonte gruan e tij në orët e fundit të jetës, dhe u përball me trajtim çnjerëzor, madje edhe u detyrua të bartte trupin e saj nëpër spital në një qese plastike.

“Vetëm tre prej nesh u kthyen në shtëpi,” – shkruan Luke në rrjete sociale. “Duhej t’ua thoja fëmijëve të mi që mamaja e tyre nuk do të kthehej kurrë. Më theu përfundimisht.”

Familja u përball edhe me vonesa burokratike për kthimin e trupit në Angli. Për të shmangur pritjen prej më shumë se dy javësh, Luke pagoi mijëra paund për ta sjellë trupin e Beth në të njëjtin avion me veten – edhe pse nuk i lejohej të ishte pranë saj.

“I kanë marrë zemrën. Dhe tani po luftojmë për drejtësi.”

Organizatori i fushatës “GoFundMe”, Robert Hammond, ka deklaruar: “Pas gjithë kësaj dhimbjeje, autopsia në MB dha goditjen përfundimtare: zemra e Beth mungonte. Spitali në Turqi e kishte hequr, pa asnjë njoftim. Kjo është një dhunim i trupit të saj, i dinjitetit të saj.”

Ndërkohë, Luke, i cili është i vetëpunësuar dhe po përpiqet të mbajë familjen mes dhimbjes dhe traumës, nuk ka ndërmend të heshtë.

“Ky është një skandal që nuk mund të lihet pas. Duhet drejtësi,” shkruhet në faqen e donacioneve, që ka mbledhur mbi 100 mijë paund për familjen.