FLASH :

Tragjedi në Tajlandë/ Babai 44-vjeçar vdes pas një muaji ku jetoi vetëm me birrë, zbulohet nga djali i tij 16-vjeçar

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në rajonin Ban Chang të Tajlandës, ku një 44-vjeçar u gjet i vdekur nga djali i tij adoleshent, pasi kishte jetuar për një muaj të tërë duke konsumuar vetëm birrë. Thaweesak Namwongsa, baba i një fëmije, kishte refuzuar të hante ushqim pas divorcit dhe kishte kaluar ditët i mbyllur në dhomën e tij, mes qindra shisheve bosh.

Pavarësisht përpjekjeve të të birit 16-vjeçar, i cili i gatuante çdo ditë ushqime të ngrohta, Namwongsa nuk pranonte të hante asgjë. I riu e gjeti të atin të pavetëdijshëm pas një krize dhe thirri menjëherë ndihmën e shpejtë, por fatkeqësisht ishte tepër vonë. Paramedikët gjetën trupin pa jetë në dhomë, me dyshemenë e mbuluar nga më shumë se 100 shishe birre. Autoritetet besojnë se shkaku i vdekjes lidhet me konsumin ekstrem të alkoolit, ndërsa autopsia pritet të konfirmojë shkaqet në ditët në vijim.