FLASH :

Tragjedi në Spanjë: Dy fëmijë mbyten në det, babai i tyre shpëtohet në gjendje të rëndë

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin bregdetar të Salou në Spanjë, ku dy fëmijë britanikë, motër e vëlla, përkatësisht 11 dhe 13 vjeç, humbën jetën të martën në mbrëmje pasi u përfshinë nga dallgët e forta në plazhin Llarga. Babai i tyre, i cili ndodhej në ujë me fëmijët, u shpëtua në gjendje të rëndë falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe ekipeve të emergjencës, pasi kishte gëlltitur shumë ujë dhe ishte i rraskapitur nga përpjekjet për t’i ndihmuar.

Sipas shefit të Policisë Lokale të Salou, Jose Luis Gargallo, telefonata e parë në numrin emergjent 112 raportoi për tre persona që po mbyteshin. Në vendngjarje mbërritën menjëherë patrullat, të cilat konstatuan se bëhej fjalë për një baba dhe dy fëmijët e tij, të gjithë shtetas britanikë. Ndërhyrja e policëve dhe më pas e ekipeve mjekësore arriti të shpëtojë vetëm të atin, ndërsa fëmijët u nxorën nga deti pa shenja jete dhe përpjekjet për t’i reanimuar ishin të kota.

Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pasi kishte përfunduar orari zyrtar i shërbimit të rojeve bregdetare, të cilat punojnë deri në orën 20:00. Sipas autoriteteve, në plazh gjatë gjithë ditës kishte valë të forta dhe kishte qenë i ngritur flamuri i verdhë si paralajmërim për rrezik. Një efektiv policie, i identifikuar vetëm si Younes A., tregoi se ai dhe dy kolegë të tij u hodhën në det për të ndihmuar, duke arritur të shpëtojnë babanë dhe të nxjerrin trupat e fëmijëve, të cilët u mbuluan me një tendë në rërë deri në ardhjen e prokurorisë për të autorizuar transportin në morg.

Pamje të publikuara nga mediat spanjolle treguan një helikopter të emergjencës që fluturonte mbi zonë, ndërsa në plazh ishin vendosur njësi të shumta të shërbimeve të emergjencës. Sipas autoriteteve rajonale, këto dy vdekje e çojnë në 16 numrin e personave që kanë humbur jetën në plazhet e Katalonjës që nga nisja e sezonit veror më 15 qershor – një shifër që tejkalon ndjeshëm atë të vitit të kaluar, ku u raportuan 11 viktima gjatë gjithë sezonit.

Policia dhe prokuroria kanë nisur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie dhe për të kuptuar nëse ka pasur mangësi në sinjalizimin apo menaxhimin e rrezikut në atë zonë. Autoritetet theksuan se, ndonëse bëhet fjalë për një aksident, do të shqyrtohen të gjitha detajet për të parë nëse ka vend për përmirësime në sistemin e sigurisë. Ndërkohë, në hotelin ku qëndronte familja ndodhej nëna me tre fëmijët e tjerë të çiftit, e cila mori lajmin e rëndë pas ngjarjes.