Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Prizrenit, ku një burrë ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare dhe ka plagosur rëndë bashkëshorten dhe vajzën tjetër 10-vjeçare.
Ngjarja u raportua rreth orës 06:00 në rrugën “Shotë Galica”, ku sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi, forcat e rendit kanë hasur në një situatë dramatike.
“Policia është ndalur në vendin e ngjarjes, ku ka parë tri persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat, një vajzë 15-vjeçare, ka ndërruar jetë”, deklaroi Bytyçi.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se autori i krimit, babai i vajzave, ka qëlluar me thikë bashkëshorten dhe të dy vajzat. Vajza e vogël, 10 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti makabër, ndërsa motivet e krimit mbeten ende të paqarta.
Policia ka arrestuar të dyshuarin në vendin e ngjarjes.
Dëshmitarët në lagje janë shprehur të tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke e përshkruar ngjarjen si të papranueshme dhe të paimagjinueshme për një komunitet të qetë si Prizreni.
Ngjarja ka ngritur alarmin për dhunën në familje dhe ka rikthyer debatin mbi nevojën për ndërhyrje më të hershme dhe mbështetje për viktimat potenciale të dhunës në familje.