Një ngjarje tragjike ka tronditur industrinë e TVshow-t në SHBA, pasi një nga drejtueset më të njohura të prodhimit të emisionit të famshëm “American Idol”, Robin Kaye, dhe bashkëshorti i saj, Thomas DeLuca, u gjetën të vdekur nga plagë me armë zjarri në vilën e tyre në lagjen elitare Encino të Los Anxhelosit.
Sipas burimeve nga policia e Los Anxhelosit, të cituara nga TMZ, trupat e pajetë të çiftit u zbuluan në dhoma të ndryshme të shtëpisë, katër ditë pasi nuk kishin dhënë më asnjë shenjë jete. Të dy viktimat kishin plagë të rënda me armë zjarri në kokë.
Policia është duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur ngjarjen, ndërkohë që nuk ka shenja grabitjeje në banesën me vlerë rreth 3.88 milionë euro, çka bën që skenari i një vjedhjeje të jetë deri tani i pamundur.
Hetuesit kanë zbuluar gjurmë gjaku pranë hyrjes së banesës dhe një dritare të thyer, e cila po hetohet nëse është përdorur nga autori për të hyrë brenda.
Mediat amerikane raportojnë gjithashtu se disa ditë më parë, fqinjët kishin njoftuar policinë pasi kishin parë një person të dyshimtë duke kërcyer gardhin e vilës, por patrulla që mbërriti në vendngjarje nuk gjeti asnjë provë që të tregonte ndonjë krim në atë moment.
Robin Kaye ishte një emër i njohur në industrinë televizive. Ajo kishte punuar për 15 sezone në American Idol, sipas profilit të saj në IMDb, dhe kishte fituar disa çmime prestigjioze Guild of Music Supervisors Awards.
Ndër projektet e tjera të saj ishin gjithashtu emisionet Lip Sync Battle, Miss USA dhe Miss Universe.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa misteri mbi motivin dhe autorin e krimit mbetet i pazgjidhur.







