FLASH :

Tragjedi në Lisbonë: Përmbysja e tramvajit “Elevador da Glória” lë 17 viktima dhe dhjetëra të plagosur

Një aksident i rëndë ka tronditur kryeqytetin portugez Lisbonë, ku tramvaji i famshëm “Elevador da Glória” doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë, duke shkaktuar të paktën 17 viktima dhe 23 të plagosur, mes tyre edhe turistë të huaj. Dy nga të plagosurit humbën jetën gjatë natës, ndërsa autoritetet kanë shpallur ditë zie kombëtare.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:00, kur një kabllo e tensionit humbi funksionin dhe tramvaji u lëshua me shpejtësi në një zbritje të fortë, duke u përplasur me një hotel. Pamje dramatike tregojnë qytetarë që vraponin mes pluhurit për të shpëtuar njerëzit e bllokuar, ndërsa dëshmitarët thonë se dëgjuan britma fëmijësh nën rrënoja. Viktimat përfshijnë qytetarë portugezë dhe të huaj, ndërsa mes të plagosurve janë edhe gjermanë, spanjollë, italianë, francezë, kanadezë e koreanë.

Autoritetet po hetojnë shkaqet, teksa sindikatat pretendojnë se punonjësit e transportit kishin raportuar më herët probleme me kabllon e tensionit. “Elevador da Glória”, i ndërtuar që në vitin 1885 dhe një atraksion i njohur turistik, nuk kishte pasur aksidente fatale prej dekadash. Evropianët dhe liderët botërorë kanë shprehur ngushëllimet e tyre, ndërsa Portugalia është në zi kombëtare për viktimat e kësaj tragjedie.