FLASH :

Tragjedi në liqenin e Shkodrës – Mbytet kapiteni i anijes turistike teksa shpëtonte dy turistë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në liqenin e Shkodrës, ku kapiteni i një anijeje turistike ka humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar dy turistë. Sipas Policisë së Shkodrës, rreth orës 16:32 është marrë njoftimi se shtetasi Arben Alamani, 51 vjeç, kapiten i anijes turistike të Bashkisë Shkodër, dyshohet se është mbytur teksa përpiqej të nxirrte nga uji dy turistë që kishin rënë papritur në liqen.

Fatmirësisht, turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa autoritetet janë ende në kërkim të trupit të kapitenit hero. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Ngjarja ka tronditur qytetin, ndërsa banorë dhe turistë në zonë kanë shprehur dhimbje për aktin e guximshëm të 51-vjeçarit, i cili sipas të gjitha gjasave, ka sakrifikuar jetën për të shpëtuar të tjerët.