FLASH :

Tragjedi në koncertin e Oasis në Londër: Fansi bie nga lartësia dhe humb jetën në Wembley

LONDËR – Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës gjatë koncertit të grupit legjendar britanik Oasis në stadiumin “Wembley”, ku një burrë në të 40-at humbi jetën pasi ra nga një lartësi.

Policia Metropolitane njoftoi se oficerët dhe ekipet e urgjencës u thirrën rreth orës 22:30 pas raportimeve për një person të plagosur. Viktima u gjet me dëmtime të rënda, “të përshtatshme me një rënie nga lartësia” dhe u shpall i vdekur në vendngjarje. Autoritetet u kanë bërë thirrje dëshmitarëve dhe personave që mund ta kenë filmuar momentin të kontaktojnë policinë.

“Jemi të shokuar dhe të pikëlluar nga lajmi për vdekjen tragjike të një tifozi gjatë shfaqjes sonë mbrëmë,” tha Oasis në një deklaratë, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe miqtë e viktimës.

Koncerti ishte pjesë e turit të parë të grupit pas 16 vitesh, i nisur më 4 korrik në Cardiff, Uells. Shfaqja e së shtunës ishte e katërta nga shtatë të planifikuara në “Wembley”. Menaxhmenti i stadiumit konfirmoi se koncerti i së dielës do të mbahet sipas planit.