FLASH :

Tragjedi në Kashmir: 46 të vdekur dhe mbi 200 të zhdukur nga përmbytjet e befasishme

Një reshje e rrëmbyeshme shiu ka shkaktuar një tragjedi të rëndë në Kashmirin e administruar nga India, duke marrë jetën e të paktën 46 personave dhe duke lënë mbi 200 të zhdukur në qytetin Chashoti, një destinacion i njohur pelegrinazhi për turistët hindu.

Sipas autoriteteve lokale, përmbytjet e menjëhershme të shkaktuara nga “cloudburst” – një rënie ekstreme shiu me mbi 100 mm për vetëm një orë – kanë kthyer rrugët në lumenj të furishëm, kanë shkatërruar ndërtesa dhe kanë marrë përpara automjete. Pamjet dramatike në rrjete sociale tregojnë një mur uji, balte dhe mbeturinash duke rrëshqitur me shpejtësi nga mali.

Ekipet e shpëtimit, përfshirë ushtrinë, policinë dhe forcat e reagimit ndaj fatkeqësive, po kërkojnë të mbijetuarit dhe trupat e viktimave. Disa nga personat e shpëtuar janë dërguar në spital. Kryeministri i Jammu dhe Kashmir, Omar Abdullah, tha se të gjitha burimet po mobilizohen brenda dhe jashtë rajonit për të përballuar operacionin.

Përmbytjet ndodhën rreth orës 11:30 të paradites së të enjtes, duke marrë përpara një kuzhinë komunitare dhe një post sigurie pranë një stacioni pelegrinazhi, ku dhjetëra besimtarë po konsumonin drekë. Shumë prej tyre janë zhdukur.

Ky është fatkeqësia e dytë e rëndë këtë muaj në Himalaje, pas përmbytjes në shtetin Uttarakhand që la të paktën katër viktima. Autoritetet paralajmërojnë se reshjet ekstreme dhe rreziku nga përmbytjet e papritura po rriten në zonat malore gjatë sezonit të musonit.