Një tjetër tragjedi godet Kanalin Anglez, ku një person ka humbur jetën dhe 61 të tjerë janë shpëtuar nga uji pasi një varkë me emigrantë u mbyt pranë brigjeve franceze të Boulogne-sur-Mer, gjatë një tentative për të mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas raportimeve nga Sky News dhe autoriteteve franceze, ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës, kur varka u shkatërrua në det të hapur. Operacioni i shpëtimit, ku morën pjesë forcat franceze dhe britanike, përfshiu anije, helikopterë dhe ekipe të emergjencës ndërkombëtare.
Anija e shpëtimit Abeille Normandie arriti të shpëtojë 50 persona, ndërsa RNLI (Shërbimi Mbretëror i Shpëtimit Detar) shpëtoi 2 të tjerë. Forca Kufitare britanike ndërhyri për të shpëtuar edhe 9 persona të tjerë. Mes të mbijetuarve ndodheshin një nënë dhe fëmija i saj, të cilët u transportuan me helikopter në spital për shkak të gjendjes së rëndë nga hipotermia.
Të tjerët u dërguan në portin francez të Boulogne-sur-Mer për trajtim dhe identifikim. Incidenti ndodh në një kohë kur presioni mbi Kanalin është rritur ndjeshëm – mbi 10,000 kalime të paligjshme janë regjistruar vetëm deri në fund të prillit.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka përsëritur angazhimin e qeverisë për të luftuar rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore, të cilat, sipas tij, shfrytëzojnë në mënyrë kriminale emigrantët në udhëtime që shpesh përfundojnë në tragjedi.







