Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një qendër tregtare pesëkatëshe në qytetin Kut të Irakut lindor, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 61 personave, mes tyre burra, gra dhe fëmijë. Ministria e Brendshme irakiane konfirmoi se shumica e viktimave humbën jetën nga asfiksia nëpër banjo për shkak të tymit të dendur.
Pamjet e publikuara tregojnë ndërtesën e përfshirë nga flakët, ndërsa ekipe të mbrojtjes civile arritën të shpëtojnë mbi 45 persona. Qendra tregtare “Al-Kornish Hypermarket”, e cila përfshinte një restorant dhe një supermarket të madh, ishte hapur vetëm prej një jave. Kryeministri Mohamed Shia al-Sudani urdhëroi hetim urgjent dhe dërgimin e ekipeve mjekësore në vendngjarje. Ndërkohë, në rajonin Wasit janë shpallur tre ditë zie kombëtare. Autoritetet dyshojnë për shkelje të rregullave të mbrojtjes civile si shkaktar të tragjedisë, ndërsa janë hapur procedura ligjore ndaj pronarit të godinës.







