Të paktën 20 persona humbën jetën në Khan Younis të Gazës së Jugut, teksa përpiqeshin të merrnin ushqime nga një pikë shpërndarjeje ndihmash e administruar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), raportoi BBC. Sipas të dhënave paraprake, 19 persona u shkelën për vdekje në kaos, ndërsa një tjetër u godit me thikë gjatë përleshjes së turmës.
Që prej fillimit të operacioneve të GHF-së në fund të majit, janë raportuar përditë incidente me viktima në vendet e ndihmës. Dëshmitarët thonë se shumica e viktimave janë qëlluar nga forcat izraelite. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka dokumentuar 674 vrasje pranë katër pikave të shpërndarjes së GHF-së në gjashtë javët e fundit, si dhe 201 vrasje të tjera përgjatë rrugëve të konvojeve të ndihmës. OKB ka refuzuar të bashkëpunojë me GHF, duke e quajtur modelin e saj joetik, ndërsa ushtria izraelite ka pranuar “dëmtime të civilëve” dhe thotë se po përpiqet të minimizojë kontaktin me popullsinë civile.