Policia ka nisur një hetim të plotë mbi vdekjen tragjike të dy motoristëve të rinj, të cilët humbën jetën pas një aksidenti të frikshëm gjatë garës së British Superbikes në pistën e Oulton Park, në Britani.
Owen Jenner, 21 vjeç dhe Shane Richardson, 29 vjeç, vdiqën si pasojë e një përplasjeje masive në kthesën e parë të garës, ku u përfshinë 11 motoristë. Pamjet tronditëse të transmetuara drejtpërdrejt në televizion tregojnë një prej garuesve teksa humb kontrollin në daljen nga “Old Hall Corner” dhe rrëshqet mbi asfalt, duke u përplasur me motoristët e tjerë që ndodheshin pas tij. Nga ky moment nisi një reagim zinxhir, ku disa motorë u përplasën njëri pas tjetrit dhe një prej tyre mori flakë.
Shërbimet emergjente dhe stafi mjekësor ndërhynë menjëherë, por pavarësisht përpjekjeve, Jenner dhe Richardson nuk mundën të mbijetonin. Gara u anulua menjëherë pas aksidentit.
Policia e Cheshire ka konfirmuar se është duke hetuar rastin në bashkëpunim me Mjekun Ligjor dhe autoritetet sportive. “Policia po heton vdekjen e dy personave në emër të mjekësit ligjor pas një përplasjeje të shumëfishtë në Oulton Park të hënën, më 5 maj,” thuhet në deklaratën e saj. “Dy motoristët që humbën jetën janë identifikuar si Owen Jenner dhe Shane Richardson.”
Jenner, që garonte për ekipin Rapid Honda, dhe Richardson, nga Zelanda e Re, që përfaqësonte Astro-JJR Hippo Suzuki, ishin ndër më të dalluarit në garë. Një tjetër garues, Tom Tunstall, 47 vjeç, pësoi lëndime të rënda dhe ndodhet në spital, ndërsa pesë të tjerë u trajtuan në qendrën mjekësore të pistës për dëmtime të lehta. Tre motoristë të tjerë dolën pa lëndime.
MotorSport Vision Racing (MSVR) e konfirmoi ngjarjen tragjike përmes një deklarate zyrtare: “Menjëherë në nisje të garës Quattro Group British Supersport Championship, në kthesën Old Hall të xhiros së parë, ndodhi një incident zinxhir ku u përfshinë 11 motoristë. Për shkak të ashpërsisë ekstreme të aksidentit, pjesa e mbetur e garës u anulua.”
Sipas MSVR, Jenner vdiq në qendrën mjekësore të pistës si pasojë e një dëmtimi katastrofik në kokë. Ndërsa Richardson, që u trajtua fillimisht në vendin e ngjarjes, u transportua me helikopter drejt Royal Stoke University Hospital për shkak të dëmtimeve të rënda në kraharor, por fatkeqësisht ndërroi jetë para se të mbërrinte në spital.
Miq, kolegë dhe fansa kanë shpërndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale për të dy sportistët. “Owen ishte një nga djemtë më të dashur që mund të njihje, gjithmonë me buzëqeshje e humor,” shkruan një mik. Një tjetër shton: “Sot humba shokun tim të ekipit… ishe më shumë se një bashkëgarues, ishe si një vëlla i madh për mua.”
Në mënyrë prekëse, vetëm pak çaste para aksidentit, Richardson kishte postuar një video me uniformën e garës, ku shkruante: “Race 2 ready, let’s go!” — një postim që tashmë tingëllon si lamtumirë.
Në rrjetet sociale, shumë i janë referuar Richardson-it si njeri me humor dhe energji të pashtershme, ndërsa për Jenner, si një yll në ngjitje që u shua shumë herët.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që autoritetet të përcaktojnë shkakun e saktë të këtij aksidenti fatal që tronditi botën e motorsportit.