Policia australiane ka konfirmuar se mbetjet njerëzore të gjetura në një zonë pyjore pranë Parkut Kombëtar “Good Night Scrub” i përkasin 17-vjeçares Phoebe Bishop, e cila ishte zhdukur më 15 maj gjatë rrugës për në aeroportin e Bundabergut, Queensland.
Dy shokët e saj të shtëpisë, James Wood (34) dhe Tanika Bromley (33), u arrestuan dhe u akuzuan për vrasje më 5 qershor, mbi tre javë pas zhdukjes së Phoebe. Mbetjet e saj u gjetën një ditë më vonë, ndërsa policia dyshon se trupi është lëvizur të paktën dy herë, për të fshehur krimin.
Familja kërkon privatësi
Familja e Phoebe konfirmoi lajmin përmes një deklarate prekëse:
“Na duhet kohë për ta përpunuar këtë dhimbje dhe për të qarë në paqe. Falënderojmë të gjithë për mbështetjen.”
Çfarë ndodhi?
Phoebe ishte nisur për në aeroportin e Bundabergut për të udhëtuar drejt Australisë Perëndimore, ku do të takonte të dashurin e saj, Levi. Kamera e sigurisë në aeroport nuk regjistroi asnjë shenjë të saj atë ditë. Makina e shokëve të saj u pa pranë aeroportit, dhe hetuesit dyshojnë se vrasja ndodhi në Airport Drive, ku Phoebe u pa për herë të fundit me valixhet e saj.
Hetimet
Sipas policisë, Wood dhe Bromley akuzohen gjithashtu për ndërhyrje në trupin e viktimës, fillimisht më 15 maj dhe sërish më 17 maj, kur besohet se trupi u zhvendos në pyllin ku më vonë u gjet. Mbetjet nuk ishin varrosur, ndërsa për identifikimin e saj, hetuesit përdorën analiza ADN-je nga rrobat dhe flokët.
Dhimbje, homazhe dhe një dashuri e ndërprerë
Në nder të Phoebe, u organizua një karvan automjetesh me mbi 50 makina nga Gin Gin në Bundaberg. Ndërkohë, i dashuri i saj Levi, i cili po e priste me mall për një udhëtim romantik në bregdetin e Esperances, mbetet i thellësisht i traumatizuar. Babai i tij tregoi se çifti ishte lidhur shumë dhe kishin planifikuar çdo detaj të takimit të tyre.
“Levi i bleu një aparat fotografik Canon me vlerë 1000 dollarë. Ishin të emocionuar për kamping në plazh. Kjo është zemërthyese,” tha Rick, babai i Levi-t.
Vijojnë hetimet
Policia vazhdon hetimet dhe kërkon informacione mbi lëvizjet e një makine gri Hyundai IX35, mes datave 15–18 maj në zonën e Gin Gin.
James Wood dhe Tanika Bromley ndodhen në paraburgim dhe pritet të dalin sërish në gjykatë në muajin gusht. Ndërkohë, në shtëpinë e rrënuar ku Phoebe jetonte me ta, komuniteti ka ngritur një memorial të përulur për të kujtuar një jetë të ndërprerë dhunshëm.












