FLASH :

Trafik i rënduar nga mbyllja e papritur e Urës së Milotit

Mbyllja e papritur e Urës së Milotit ka sjellë kaos total në qarkullim, duke shkaktuar bllokime të gjata dhe izolim për mijëra qytetarë, pikërisht në kulmin e sezonit turistik. Pamjet nga terreni tregojnë kolona kilometrike automjetesh, temperaturë të lartë dhe udhëtarë të irrituar që presin me orë të tëra për të kaluar.

Qytetarët shprehen të indinjuar jo vetëm për mbylljen pa paralajmërim, por edhe për mungesën e një plani alternativ qarkullimi nga autoritetet. Situata është përkeqësuar më tej nga mungesa e sinjalistikës, informimit dhe ndihmës në rrugë, duke e kthyer udhëtimin e shumë pushuesve në një torturë rraskapitëse. Mbetet e paqartë se për sa kohë do të zgjasë ky bllokim dhe cilat janë zgjidhjet e planifikuara për të zbutur krizën e qarkullimit në një nga nyjet më të rëndësishme të veriut të vendit.