FLASH :

Tradita dhe trashëgimia kulturore në qendër të festimeve në Gjirokastër dhe Fier

Qyteti i Gjirokastrës u gjallërua këto ditë nga ngjyrat dhe aromat e një panairi që solli në pazarin karakteristik të qytetit elementë të kulturës së Ulqinit. Tradita, kostumografia, punimet artizanale dhe kulinaria bio u bënë pjesë e këtij organizimi që synon të ndërthurë trashëgiminë mes brezash dhe t’i japë jehonë përtej kufijve vlerave shqiptare. Një nga momentet më të spikatura ishte paraqitja e xhubletës 4 mijë vjeçare, tashmë pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO.

Artizanët nga Ulqini theksuan rëndësinë e këtyre eventeve për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare, duke përmendur interesin në rritje të turistëve të huaj për këto vlera. Megjithatë, nuk munguan as kritikat për organizimin, që sipas disa pjesëmarrësve, lë ende për të dëshiruar.

Ndërkohë, në Pojan të Fierit, në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, u zhvillua edicioni i 7-të i “Festës së Grurit”, një traditë myzeqare që kthehet çdo vit në një urë mes të kaluarës dhe së tashmes. Banorë të zonës, vizitorë dhe turistë iu bashkuan festës që përfshiu një ekspozitë me gatime tradicionale, panairin me prodhime të reja dhe paradën e mjeteve bujqësore.

Ndërsa kryebashkiaku Armando Subashi theksoi rëndësinë kombëtare që ka marrë festa, përfaqësues të sektorit të furrave kërkuan mbështetje më të madhe për fermerët, për shkak të uljes së prodhimit dhe cilësisë së dobët të grurit këtë vit.