Stadiumi Tottenham Hotspur në Londrën Veriore u përfshi nga skena të papërmbajtura festimi mbrëmjen e së mërkurës, pasi tifozët e Spurs shpërthyen në brohorima pas fitores së ekipit të tyre ndaj Manchester United në finalen e Ligës së Europës, e zhvilluar 850 milje larg, në Bilbao.
Tottenham i dha fund pritjes 17-vjeçare për një trofe, duke triumfuar me rezultatin 1-0 falë një goli nga Brennan Johnson pak para përfundimit të pjesës së parë. Pavarësisht një sezoni katastrofik në Premier League ku ndodhen në vendin e 17-të, kjo fitore jo vetëm që solli një titull europian i pari që nga viti 1984 por gjithashtu i siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Në San Mames të Bilbaos, heronjtë e trajnerit Ange Postecoglou ngritën trofeun mes një atmosfere të zjarrtë, ndërsa mijëra tifozë që e ndoqën ndeshjen në stadiumin e Londrës pushtuan fushën për të festuar. Disa shpërthyen në lot gëzimi, të tjerë hodhën birra dhe rroba në ajër, ndërsa flamujt bardhezinj valëviteshin nga çdo cep i tribunave.


Edhe pse cilësia e lojës u kritikua gjerësisht nga tifozët për mungesën e spektaklit, mbështetësit e Tottenham-it nuk e morën aspak parasysh, duke e përjetuar si një mbrëmje historike. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi pas një devijimi të topit nga supi i Luke Shaw, i cili përfundoi te Johnson, që realizoi nga fare pranë portës.
Në pjesën e dytë, United u përpoq të barazonte, por mbrojtësi Micky van de Ven shmangu një gol të sigurt me një ndërhyrje akrobatike mbi vijën fatale, duke ruajtur epërsinë deri në fundin dramatik të shtatë minutave shtesë.
Për tifozët që nuk mundën të udhëtonin në Bilbao, klubi kishte hapur dyert e stadiumit në Londër për transmetim të drejtpërdrejtë, duke instaluar dhjetë ekrane gjigante. Biletat kushtonin 10 paund për të rriturit dhe 5 paund për të miturit.
Nga ana tjetër, atmosfera në kampet e tifozëve të Manchester United ishte mbytëse. Skuadra e Ruben Amorim, që gjithashtu ka pasur një sezon të dobët dhe ndodhet në vendin e 16-të, tashmë ka humbur çdo shpresë për një vend në kompeticionet europiane.


Ish-kapiteni legjendar i United, Roy Keane, shpërtheu në kritika:
“Vetëm kur mendon se nuk mund të shkojë më keq për Man United, ndodh kjo. Gjithë sezoni ka qenë një katastrofë. Ata janë mbështetur te Europa për të mbuluar çarjet e mëdha në skuadër. Mungesë cilësie, mungesë zgjedhjesh në stol kur mbështetesh te Harry Maguire për të të shpëtuar, e ke seriozisht problem.”
Tottenham, përkundër një sezoni të dobët në kampionat, rikthehet në elitën e Europës si kampion i Ligës së Europës dhe me një shpresë të re për të ardhmen.







