FLASH :

Torturë dhe vrasje brutale në Angli: Babai i dy fëmijëve gjendet i lidhur dhe i zhveshur në korridorin e shtëpisë së tij

Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik në Angli, pasi 38-vjeçari Thomas Campbell u gjet i vdekur, i zhveshur dhe i lidhur në korridorin e shtëpisë së tij në Mossley, Tameside. Detajet tronditëse u bënë publike gjatë seancave në Gjykatën e Lartë të Manchesterit, ku po gjykohet rasti i vrasjes së tij brutale, ndodhur në korrik të vitit 2022.

Campbell, baba i dy fëmijëve, ishte viktima e një sulmi të planifikuar nga një grup kriminal i mirëorganizuar, i përbërë nga tre persona. Sipas prokurorisë, sulmi ndodhi kur ai po kthehej në shtëpi më 2 korrik. Mendohet se ishte përgjuar për ditë me një pajisje gjurmuese e vendosur në makinën e tij, ndërsa shtëpia ishte nën vëzhgim nga autorët.

John Belfield, 31 vjeç, akuzohet si organizatori kryesor i komplotit. Ai ka mohuar të jetë në vendin e ngjarjes dhe deklaron pafajësi për akuzat për vrasje dhe komplot për grabitje. Reece Steven, një nga autorët e drejtpërdrejtë, është dënuar me burgim të përjetshëm me minimum 37 vjet, ndërsa personi i tretë nuk është identifikuar.

Ish-bashkëshortja e viktimës, Coleen Campbell, është shpallur fajtore më herët për ndarjen e informacionit mbi lëvizjet e tij me Belfield, përfshirë detaje të dhëna nga fëmijët e çiftit.

Prokurorët thanë se motivet e sulmit ishin hakmarrja personale, xhelozia për një marrëdhënie me ish-partneren e Belfield dhe dëshira për të vjedhur sende me vlerë nga shtëpia e Campbell, i cili kishte precedentë penalë për trafik droge dhe pastrim parash.

Ekspertiza mjeko-ligjore, e kryer nga Dr. Philip Lumb, zbuloi plagë të shumta të shkaktuara nga goditje të forta dhe të mprehta në kokë dhe qafë, shenja mbytjeje, djegie në trup dhe një plagë të madhe me hemorragji në krahun e sipërm – me një lidhëse improvizuar (turniket) për të ndalur gjakderdhjen.

Mjeku konkludoi se vdekja erdhi nga një kombinim i dëmtimeve me thikë, goditje të forta në kokë dhe presion në qafë.

Gjykimi ndaj Belfield, i cili është pa adresë të saktë banimi, vijon. Ai vazhdon të mohojë përfshirjen në vrasje.