FLASH :

Tmerri në familje: Gjyshërit akuzohen për vrasjen e nipit 2-vjeçar, nëna ndodhej në katin lart – fëmija me 40 plagë dhe në gjendje të mjerueshme

Një ngjarje tronditëse është duke u gjykuar në Mold Crown Court në Britani, ku gjyshërit e një fëmije 2-vjeçar po përballen me akuza për vrasje, pasi nipi i tyre, Ethan Ives-Griffiths, vdiq nga plagë të rënda në kokë dhe trup. Tragjedia ndodhi më 16 gusht 2021, vetëm disa ditë pasi ai ishte parë për herë të fundit në një qendër tregtare, i ulur në karrocë me prindërit e tij.

Sipas prokurorisë, Michael dhe Kerry Ives, 47 dhe 46 vjeç, kanë keqtrajtuar dhe rrahur djalin për javë me radhë në shtëpinë e tyre në North Wales, derisa ai humbi jetën. Gjatë seancës, juria u njoh me pamje të rënda të Ethan-it – i dobësuar, me mavijosje të shumta dhe i lënë nën kujdes mizor, ndërsa nëna e tij, Shannon Ives (28 vjeç), ndodhej në katin sipër duke përdorur telefonin.

Ekspertët mjeko-ligjorë konfirmuan se Ethan kishte 40 lëndime në trup, përfshirë një hemorragji të rëndë në tru, ndërsa mjekët e përshkruan rastin si të ngjashëm me sindromën e fëmijës së tundur.

Pamjet CCTV dhe mesazhet e këmbëlyera midis anëtarëve të familjes zbuluan neglizhencë ekstreme, përfshirë skena ku fëmija goditej në kokë nga fëmijë të tjerë përpara syve të gjyshit, ose lahej me zorrë uji në fytyrë për 8 sekonda.

Prokurorja Caroline Rees theksoi se Ethan ishte i pambrojtur, i uritur, i izoluar dhe i keqtrajtuar në mënyrë të përsëritur. Nëna e tij, e cila është gjithashtu e akuzuar për “lejimin e vdekjes së një fëmije” dhe “brutalitet ndaj fëmijës”, ka mohuar çdo përgjegjësi, duke pretenduar se nuk ka qenë e pranishme gjatë goditjes fatale.

Në një mesazh të saj ndaj një punonjëse sociale vetëm pak ditë para vdekjes së Ethan-it, Shannon kishte shkruar: “Nuk mund të largohem, është shumë keq.” Megjithatë, më pas pamjet tregojnë se fëmija u vendos në sediljen e makinës dhe u dërgua në qendrën tregtare, në vend që të merrte ndihmë.

Gjykimi ndaj tre të pandehurve vazhdon dhe pritet të zgjasë gjashtë javë. Ata mohojnë të gjitha akuzat.