Deputetja më e re e qarkut Fier, Zegjine Caushaj, duket se ka marrë puthjet dhe përqafimet nga të afërm dhe miq, si dhe duartrokitjet e para për postin e ri në parlament. Lajme Troc ka dëshmuar disa herë se sa poshtë ka rënë Parlamenti shqiptar me hyrjen e këtyre lloj deputetësh, ku spektakli dhe servilizmi ndaj partisë zëvendësojnë përfaqësimin real dhe idetë politike. Rasti i Zegjines është simbolik për këtë rënie: një figurë që është bërë e njohur për videot ku tallet me Gazmend Bardhin, duke e thirrur “o Gazo”, një stil që kujton mënyrën si Lulzim Basha i drejtohej dikur Edi Ramës me “o Ramë”.
Përtej batutave dhe gjuhës tallëse, ajo nuk ka ofruar asnjë ide konkrete, as ndonjë kontribut serioz në debatet publike. Për më tepër, është nën hetim nga SPAK – një fakt që në çdo demokraci do të mjaftonte për të ngritur alarm, por që në Shqipëri shpërfillet nga një pjesë e madhe e votuesve që vijojnë të mbështesin “partinë-shtet”, jo individin.
Zegjineja nuk është një përjashtim, por produkti tipik i një makinerie elektorale që përdor administratën, bandat dhe paratë e pista për të mbajtur pushtetin dhe për të mbushur Kuvendin me figura që nuk kanë as bagazh, as vizion. Parlamenti nuk është më tempulli i përfaqësimit demokratik, por një skenë improvizimi ku zëri i arsyes humbet mes sharjeve, meme-ve dhe spektaklit bosh.







