Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në mes të ditës në qytetin e Oldham, në Manchester, ku një person i armatosur, duke udhëtuar me një biçikletë elektrike, ka detyruar një taksi të ndalojë dhe më pas ka hapur zjarr ndaj pasagjerëve brenda në makinë.
Sipas raportimeve fillestare, skena horror ndodhi në një rrugë të populluar, përpara syve të shumë kalimtarëve që mbetën të tronditur nga ajo që panë. Dëshmitarët treguan se gjithçka ndodhi me shpejtësi: personi me armë i afrohet taksisë, i bën shenjë shoferit të ndalojë dhe pa asnjë paralajmërim hap zjarr mbi ata që ndodheshin brenda.
Pamjet e momentit janë publikuar në media dhe kanë shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar për numrin e të plagosurve apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia e Greater Manchester ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen dhe ka bërë apel për ndihmë nga publiku për të identifikuar autorin, i cili dyshohet se është larguar me shpejtësi pas të shtënave. Nuk dihet ende nëse sulmi ishte i planifikuar apo i rastësishëm.
Ngjarja vjen në një kohë kur dhuna me armë në qytetet britanike po rritet, dhe ngrit pyetje serioze mbi sigurinë publike dhe qasjen në armë zjarri. Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në orët në vijim.